Sipas analistëve, shqiptarët nuk kanë nevojë për parti politike të reja por kanë nevojë që të fitojnë të drejtët e tyre juridiko institucionale në Maqedoni. Kohë më parë kryetari i komunës së Gostivarit paralajmëroi që do të themeloj një parti të re politike dhe tha se ajo do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare, ndërkaq analisti Imer Ismaili thotë se partia e Osmanit nuk është alternativë e kaosit politik në vend.
"Nuk besojë që Osmani ka ofertë por duhet pritur të shohim plan programin të cilin do ta prezantojë si dhe çfarë kahje do të marrë kjo parti. Kjo që e shoh nuk ka alternativë të kaosit politik për arsye se nuk e kuptojnë se shqiptarët nuk kanë të drejtë juridiko institucionale, thjesht kjo parti do të bëhet pjesë e spektrit të dështuar", tha Ismaili. Ai shtoi se shqiptarët nuk duhet të jenë vetëm pjesë përbërëse e qeverisë, por ata duhet të jenë të barabartë me palën maqedonase. "Shqiptarët nuk e kuptojnë që nuk duhet të jenë vetëm pjesë përbërëse e Qeverisë, por duhet të jenë vetë sistemi qeveritar, të jenë të barabartë me maqedonasit. Jemi në kaos, askush nuk ofron ndryshime juridiko institucionale për shqiptaret, që 20 vjet bëjmë politik dhe vetëm rrotullohemi në një labirint", theksoi Ismaili. Analisti Ismet Ramadani vlerëson se shqiptarët nuk kanë nevojë për opsione të reja politike, por kanë nevojë që ato parti politike që hynë në qeveri t’i mbajnë premtimet e tyre dhe t’i realizojnë ato. "Është e drejtë e Osmanit se a do të themeloj parti politike apo jo, por problemi qëndron se ato parti që hynë në qeveri tregojnë paaftësi për t’i realizuar premtimet e tyre, andaj mund të them se opsione politike ka mjaft, por çështja është se ato parti politike që tani më ekzistojnë të tregohen më të afta dhe t’i realizojnë premtimet e tyre", tha Ramadani. Ai gjithashtu shtoi se fatkeqësisht asnjë parti politike nuk e shfrytëzon potencialin shqiptarë drejt realizimit të premtimeve të tyre.