Sot, qindra pasagjerë në vend që nga Shkupi, fluturuan nga Aeroporti i Ohrit. Ata thanë për Alsat-M se zyrtarët e aeroportit por edhe të aviokompanive, nuk i kanë njoftuar në kohë për riorientimin e fluturimeve. Ankohen se edhe Aeroporti i Shkupit nuk ka pasur transport të organizuar për udhëtarët drejt Ohrit. Është dashur vetë të organizohen për të ardhur këtu.
“Çdo ditë na thoshin të vijmë në aeroport dhe se do të na japin informacione të reja. Informacioni i sotëm ishte në ora 10 të nisemi nga Shkupi për në Ohër. Kemi ardhur këtu në Ohër dhe tani na thanë që ta marrim bagazhin. Autoritetet e aeroportit nuk kanë aftësi për të fluturuar me stuhi të thjeshtë, dhe jo me ndonjë pengesë më serioze. Ata bëjnë majmunë prej nesh. Për ne, është lehtë që të organizohemi, por si do të organizohen të huajt të cilët do të vijnë? “ tha një udhëtar.
Pasagjerët ankohen se edhe në aeroportin ‘Shën Pali’ në Ohër presin për disa orë që të fluturojnë aeroplanët.
Sot aeroplani nga Austria Airlines që u desh të fluturonte nga Shkupi për në Vjenë, në vend që të ulet në Ohër u ul në aeroportin e Selanikut. Ja reagimi i udhëtarëve:
“A është kjo normale? Në 8.20 minuta mu lajmëruan dhe më thanë të dalim para Hotelit Grand për të shkuar në Aeroportin e Ohrit. Unë u thash si të arrij për 20 minuta? Por kjo nuk u interesonte. Kemi ardhur këtu dhe na thanë se aeroplani është ulur në Selanik” tha një udhëtar.
Vetëm sot, zyrtarët e aeroportit nga Ohri presin të fluturojnë mbi 4.000 pasagjerë për në destinacionet evropiane. Në dy ditët e fundit nga Ohri kanë fluturuar më shumë se 4.000 udhëtarë. Autoritetet e Aeroportit të Ohrit thonë se diçka të tillë nuk mbajnë mend për një kohë të gjatë.
Kompania TAV informoi se kushtet e punës në aeroport janë normale. Deri tani drejt Ohrit janë riorientuar fluturimet e kompanisë Austrian, Çeh, Adria, Kroacia dhe Turkish Airlines. Përndryshe, mjegull kishte sot edhe në Ohër, por kushtet për fluturim dhe ulje ishin të volitshme.