Fillimisht, u kërkojmë ndjesë lexuesëve tanë që nuk mundën ta kenë para tyre edicionin e fundjavës së gazetës KOHA E RE dhe nuk mundën të vizitojnë faqen tonë të internetit. Kjo nuk ishte për fajin tonë, por Ju njoftojmë se ne si redaksi përjetuam edhe një sulm nga qeveria aktuale e vendit, e cila tani më po tregon fytyrën e vet të vërtetë të një pushteti me performansa diktatoriale.
I falemnderojmë të gjithë ata që na dhanë mbështetje në këto ditë të vështira, jo vetëm për ne punonjësit e gazetës KOHA E RE, por edhe për ambientin e përgjithshëm demokratik të vendit. Dëshirojmë poashtu t’u njoftojmë se nga dita e hënë gazeta KOHA E RE sërish do të dalë në treg për të vazhduar misionin e kultivimit të vlerave të vërteta demokratike, të informimit të paanshëm dhe objektiv, duke respektuar parimet bazë të gazetarisë.
Gazeta KOHA E RE dënon fuqishëm ndërhyrjen brutale të policisë kundër Televizionit A1, me çrast u ndaluan gazetarët në kryerjen e obligimeve të tyre, u keqtrajtuan fizikisht e psiqikisht, dhe kërkon përgjegjësi nga institucionet kompetente.
Vlerësojmë se sulmi ndaj Televizionit A1 dhe gazetave "Vreme" e Shpic" është një tentim makabër për varrosjen e demokracisë, për ngulfatjen e fjalës së lirë, për eliminimin e mendimit ndryshe dhe për instalimin e frikës dhe auto-censurës te të gjithë gazetarët, mediat, intelektualët e qytetarët që nuk mendojnë njëlloj si funksionarët e pushtetit.
Këto sulme dhe të tjerat, që mbase do të pasojnë, nuk do të ndalin për asnjë moment përkushtimin tonë për të plasuar në opinion realitetin mbi zhvillimet politike, ekonomike, sociale e kulturore në Maqedoni. Ne do të vazhdojmë fuqishëm të promovojmë vlerat e strukturave euroatlantike dhe të japim edhe kontributin tonë si medie në afirmimin e atyre vlerave në shoqërinë tonë.