Maqedonia ka përgatitur kornizën ligjore për hapjen e dy kalimeve kufitare me Republikën e Kosovës. Bëhet fjalë për vendkalimin kufitar ndërkombëtar Bellanoc-Stançiç dhe kalimit tjetër kufitar lokal Tanushë-Debëllde brenda këtij viti. Sekretari shtetëror në MPJ-në e Maqedonisë, Abdulkadër Memedi, tha për ALSAT-M se Qeveria e Maqedonisë, palës kosovare i ka propozuar dy marrëveshje bilaterale, për dy kalimet kufitare në veçanti, prej të cilëve pret përgjigje për nënshkrimin e marrëveshjes, e cila do të përshpejtonte procedurat për hapjen e këtyre vendkalimeve kufitare.“Është e domosdoshme të ketë një marrëveshje të re bilaterale ndërshtetërore dhe marrëveshja tjetër që e kemi propozuar kolegëve tanë në Kosovë është marrëveshja për qarkullim të lirë lokal kufitar, që nënkupton, gjitha kalimet kufitare lokale, për të gjithë banorët që jetojnë dhe banojnë në brendi 25 kilometra për rreth brezit kufitar do të mund ti kalojnë me dokumenta të veçantë, jo me pasaportë gjitha kalimet kufitare” tha Abdulkadër Memedi, sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme. I ngarkuari me punë ambasador i Republikës së Kosovës në Maqedoni, Skender Durmishi tha për televizionin tonë se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve për vendkalimet kufitare do të jetë në rangun e prioriteteve të Qeverisë së re të Kosovës.“Mund t’ju them se Kosova siç e dini është menjëherë pas zgjedhjeve, është në mes të proceseve për formimin e institucioneve dhe qeverisë së re dhe sigurisht kjo do të jetë një nga temat që do të adresohet shumë shpejtë. Pra presim që të jepet përgjigje lidhur me këtë iniciativë, por kjo është vetëm një pjesë e mozaikut dhe projekteve të mëdha të bashkëpunimit ku hynë edhe idetë për modernizimet e vendkalimeve ekzistuese. Besoj se do të jetë në rangun e prioriteteve, sepse është çështje në procedurë, është një ndër ato çështjet që pret të adresohet dhe do të vendoset shumë shpejtë për te” tha Skender Durmishi , i ngarkuar me punë ambasador i Kosovës në Maqedoni. Durmishi tha se Kosova vlerëson lartë hapin e Qeverisë së Maqedonisë për hapjen e vendkalimeve të reja. Kjo sipas Durmishit është dëshmi e realizimit të marrëveshjeve për bashkëpunim sa më intensiv mes dy shteteve. Sipas paralajmërimeve, këtë vit pritet të fillojë ndërtimi i dy kalimeve kufitare Stançiçi-Bellanoc dhe Tanushë-Debëllde.